Rreth ASD

ASD - Sigurimi i Depozitave
 
Bazuar në Ligjin nr. 53/2014 “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar, depozitat e vendosura në Ziraat Bank Albania janë pjesë e skemës së sigurimit të depozitave. Kjo skemë garanton që kursimet e klientëve janë të mbrojtura dhe, në rast se një bankë nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet e saj, kompensimi kryhet deri në kufirin ligjor prej 2.500.000 lekësh për çdo depozitues.

Kush mbulohet nga skema e sigurimit të depozitave

Skema e sigurimit të depozitave përfshin të gjitha llogaritë dhe produktet e kursimit që klientët mbajnë në Ziraat Bank Albania, sipas ligjit nr. 53/2014:

  • Individët (qytetarët) me depozita në lekë ose valutë, të vendosura në llogari rrjedhëse, llogari kursimi apo depozita afatgjata.
  • Personat fizikë tregtarë, me llogari biznesi ose depozita të lidhura me aktivitetin e tyre tregtar.
  • Shoqëritë tregtare, me llogari rrjedhëse dhe depozita afatgjata të regjistruara në bankë.
  • Depozitat e përbashkëta, të cilat ndahen proporcionalisht mes bashkëpronarëve sipas kontratës ose, në mungesë të saj, në pjesë të barabarta.

Çfarë nuk sigurohet?

Ligji parashikon disa përjashtime, si depozitat që tejkalojnë kufirin ligjor, depozitat e bankave dhe subjekteve financiare për llogari të tyre, ato të drejtuesve dhe aksionarëve kryesorë, si dhe depozitat të lidhura me veprimtari të paligjshme, shoqëritë e sigurimit, fondet e pensionit dhe entet publike.

Këto përjashtime janë të përcaktuara qartë në nenin 32 të  ligjit ""Për sigurimin e depozitave"", të ndryshuar, ASD nuk siguron:
a) pjesa e depozitës në bankë ose degën e bankës së huaj me vlerë mbi 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë ose shuma e barasvlershme me të (kundërvlerën), në monedhë të huaj;
b) pjesa e depozitës në shoqërinë e kursim-kreditit me vlerë mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë ose shuma e barasvlershme me të (kundërvlerën), në monedhë të huaj;
c) depozitat e bankës, degës së bankës, degës së bankës së huaj dhe shoqërisë së kursim-kreditit në emër dhe për llogari të vet, si dhe çdo subjekt tjetër financiar i licencuar nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare;
ç) depozitat e drejtorit, administratorit në bankë dhe familjarëve të tyre, sipas çertifikatës së gjendjes familjare;
d) depozitat e çdo personi që zotëron 5 për qind ose më shumë në kapitalin e subjektit anëtar ose të aksioneve me të drejtë vote në këtë subjekt;
dh) depozitat e prejardhura nga veprimtari të lidhura me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, të cilat janë deklaruar të paligjshme me vendim gjykate të formës së prerë;
e) depozitat e shoqërive të sigurimit dhe risigurimit, vendase ose të huaja;  
f) depozitat e subjekteve të sipërmarrjes ose investimeve kolektive, vendase ose të huaja;
g) depozitat e fondeve të pensionit ose sigurimit pensional, vendase ose të huaja;
gj) tituj të emetuar nga subjekte financiare dhe çdolloj detyrimi tjetër që këto subjekte kanë bazuar mbi marrëveshjet e tyre të premtimit;
h) depozitat e njësive të pushtetit qendror ose vendor, si dhe çdo enti publik  të Republikës së Shqipërisë ose të një vendi të huaj;
i) depozitat të paemërtuara dhe/ose titulli i të cilave nuk përcaktohet qartë;
j) depozitat e vendosura në subjektin anëtar të skemës së sigurimit të depozitave gjatë dhe pas ditës së ngjarjes së sigurimit në këtë subjekt;
k) depozitat e anëtarëve të organeve drejtuese të shoqërisë së kursim-kreditit, sipas përcaktimeve në ligjin për shoqëritë e kursim-kreditit, përveç asamblesë së përgjithshme;
l) depozitat e personave juridik, përveç atyre të përcaktuara në pikën 17, të nenit 3, të ligjit nr.53/2014 “Për Sigurimin e Depozitave”, i ndryshuar.

Për më shumë hollësi, ju lutemi lexoni informacionet në faqen zyrtare të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, në adresën: www.asd.gov.al.